Letra pa përgjigje nga Leon Tolstoi.Tregim nga Vasil Premçi

I nderuar Lev Nikollajeviç!
Letra ime nuk është një rast i çuditshëm në një kohë kur ju merrni aq shumë të tilla, jo vetëm brënda Rusisë, por edhe nga Franca, India e sa e sa vende të tjera. Prej kohësh më vlonte brenda vetes dëshira të bisedoja për romanet e t’u të famshëm, por edhe për disa probleme jetësore që më mundojnë. Dhe ja tani, mos beso po deshe mbi providencën hyjnore që më nxori në shtegun e duhur për të komunikuar së bashku. Më lejoni t’ju drejtohem sipas dëshirës time, i nderuar Lev Nikollajeviç dhe ndërkaq, po hyj drejt e në temë.
Së pari ju kërkoja ndjesë për fjalët dhe shprehjet e mia të zgjatura, por ndonjëherë dhe të tepërta. Ju paralajmëroj se gjithçka që do t’ju tregoj më poshtë është një rrëfim brenda një rrëfimi tjetër si të thuash, një mpleksje e çuditshme nga ato që ofron jeta jonë e përditshme. Unë jam një ushtarak i vjetër sikurse edhe ju, ndaj dhe le të shkojmë përpara me guxim si në një betejë ku briri i Dianës na fton të hidhemi në sulm. Nëpërmjet kësaj letre do t’ju sqaroj hap pas hapi për ngjarjen që u bë shkak dhe tashmë ka tronditur thellë deri në themelet e saj jetën time. E kam marrë në sy rrezikun, sepse në përfytyrimin tuaj mund t’i ngjaj më shumë atij njeriut që sapo ka dalë nga varri dhe kërkon llogari edhe për këtë, por dhe për atë, se sa heroit të vërtetë të ngjarjes ose të paktën atij për të cilin shkruan në tregimin e tij Anton Pavlloviç Çehovi, Rajbovicin. Por më parë le të prezantohemi…
Është një fakt i njohur edhe përtej qarqeve letrare admirimi juaj për krijimtarinë e Çehovit si edhe ai për tregimin e tij, “Shpirtka”, por vetë Anton Pavlloviçi veçon nga krijimtaria e tij letrare tregimin ‘Studenti”, një tregim gjithë-gjithë tri faqe. Besoj se e sillni nëpër mend përmbajtjen e tij. Ja me pak fjalë ajo.
“Një student i ri klerik, i mardhur nga të ftohtit që i kishte hyrë deri në palcë dhe i uritur, has në dy vejusha, nënë e bijë. Pasi ngrohet pranë zjarrit ku rrinë edhe ato të dyja, studenti i ri klerik nis t’u tregojë një histori për apostullin Shën Pjetër, i cili e mohoi tri herë Jezusin, ashtu siç kishte profetizuar vetë Jezu Krishti. Pasi vjen në vete, Pjetri vajton me dëshpërim dhe në atë çast lotët bien rrëke edhe nga sytë e vetë vejushës nënë. Studenti nis të shtjellojë lidhjen mes lotëve të apostullit dhe ato të nënës që vërtetojnë vazhdimësi, porsi treni që udhëton mbi shina. Një gëzim papritur e rrëmben studentin i cili e ndjen se bukuria dhe e vërteta qëndrojnë pikërisht në këtë zinxhir që lidh të kaluarën me të tashmen. Tregimi mbyllet me ndryshimin që pëson studenti që në atë çast dhe me bindjen e shpresën e tij për lumturinë që e pret në jetë.”
Tani s’më mbetet gjë tjetër veçse të hyj drejt e në temë. Tregimi “Puthja” më ka ngjarë mua, kur isha vetëm njëzetepesë vjeç dhe shërbeja në një brigadë artilerie. Unë nuk e mësova dot kurrë se si kjo ngjarje që më ndodhi atë ditë gushti në vilën e gjeneral kolonelit në pension Rabek, do të mbërrinte deri në veshët e Anton Pavlloviç Çehovit. Sipas një një tradite që fisnikëria ruse e trashëgon prej kohësh që s’mbahen mend, kur oficerët e njësive ushtarake që dislokohen pranë fshatrave të tyre ftohen në shtëpinë e tyre për të pirë një gotë çaji apo verë, ngjarje si këto, sidoqë të fshihen, një ditë e gjejnë veten në bisedat e tyre, por edhe në majën e penës të shkrimtarëve rus.
Pra, në tregimin “Puthja” Çehovi tregon për vizitën tonë në shtëpinë e gjeneral kolonelit në pension Rabek dhe se si në një moment kur kolegët e mi oficerë, nisën të luanin bilardo me djalin e të zotit të shtëpisë, gjeneral kolonelit, unë nisa të shetis i vetmuar në hapësirat e katit të parë të vilës. Dikur u futa në një hapësirë boshe të ndërtesës në fund të së cilës dukej një dritëz që vinte nga një e çarë dhe mezi dukej. M’u desh të mbyll sytë një valë herë për t’u mësuar me errësirën e lagësht që sundonte rreth e qark. Ja, aty dhe në ato çaste se nga mbiu befas një grua e cila më puthi me afsh, Por ajo puthje që lëshoi një aromë të këndshme trullosëse si e mentes, u zhduk si ajo reja që e rrëmben me vrull era.
Në tregim shkruhet për emocionet që më pushtuan pas atij çasti dhe s’mu shqitën për disa javë. Por në të vërtetë ngjarjet nuk rrodhën siç përshkruhen në tregim.
Kur mbërriti grupi ynë i oficerëve pranë vilës së gjeneral kolonelit, në hyrjen kryesore të saj na pritën edhe e shoqja së bashku me fëmijët dhe kushërirat rioshe. Zonjushat bukuroshe na zgjatën duart e njoma dhe natyrisht, ne u sollëm si kalorës të vërtetë; ua puthëm ato duke u përkulur me elegancë para tyre.
Të them të drejtën, menjëherë që në përshkënditjen e vështrimeve të para më hyri në sy vajza e gjeneral kolonel Rabekut, Ollga. Nuk kishte si të mos binte në sy trupi i saj elegant me atë fustanin ngjyrë jargavani që i nxirrte në pah aq hijshëm trupin dhe ecjen si të një sorkadheje. Vështrimi i saj i zjarrtë dhe aq fin më dehu aq shumë sa mend më rrëzoi përtokë.
Sigurisht, shkrimtari është një far dikatatori që dëgjon vetëm egon e tij, apo jo? Vërtet Anton Pavlloviç Çehovi është autori i tregimit “Puthja”, por me mua e ka tepruar në një farë mënyre sepse në këtë tregim më ka përshkruar si “një oficer shtatshkurtër dhe të kërrusur, me syze dhe me baseta si rrëqebull”. Duhet të dini që syzet unë i kam vënë në moshën dyzet vjeç, pra pas pesëmbëdhjetë vitesh nga ajo ngjarje. Në vijim të tregimit ai nuk kursehet me figurën time kur shprehet:
”Ndërsa oficerët e tjerë po përpiqeshin të shfaqeshin seriozë, fytyra e tij, me gjithë baseta si të rrëqebullit dhe syzet, dukej sikur thoshte: ”Unë jam oficeri më i turpshëm, më modest dhe më i parëndësishëm i gjithë brigadës!”
Por ndoshta kjo është e drejta e tij, sikurse e drejta e oficerëve për të urdhëruar nisjen e sulmit të përgjakshëm nga ushtarët. Ju e dini mjaft mirë se gati të gjitha të drejtat dhe detyrat tona përcaktohen në një numër rregulloresh që drejtojnë jetën e një ushtaraku dhe reparti ushtarak.
Në tregim Anton Pavlloviçi më etikon me emrin Rajbovic dhe për këtë i jam shumë mirënjohës, sepse vaj medet nëse ai do të tregonte emrin e vërtetë të oficerit të brigadës së artilerisë Mihajllo Pahor Denisovit. Pra, ndryshe nga linja e tregimit “Puthja” unë dhe vajza e gjeneral kolonel Rabekut u dashuruam. Atë mbrëmje kërcyem së bashku tri valse. Në përmjet vështrimeve që shkëmbyen i thamë njëri tjetrit më shumë se sa një lumë fjalësh dashurie. Pas përfundimit të fushimit, me kërkesën time, vetë komandanti i brigadës së artilerisë me dy miqtë e mi oficerë, togerët Merzljakov dhe Llubitko i kërkuan për mua gjeneral kolonelit në pension Rabek dorën e vajzës së tij, Ollgës. Shkurt, pas kësaj martese, familje jonë e re trashëgoi një pasuri të bollshme për të jetuar. Me Ollgën bëmë tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë të cilët vazhduan studimet e larta në SanktPetërburg. Deri në moshën pesëdhjetëvjeçare marrëdhëniet me gruan time, Ollgën ishin të ëmbla si dy krijesa të dashuruar fort me njëri-tjetrin, por pas kësaj moshe, ajo shfaqi papritur ndaj meje një fytyrë tjetër, të ftohtë dhe indifererente. Shpresoj në mirëkuptimin tuaj përse e kam fjalën, sepse diku në shkrimet tuaja keni thënë: “Njeriu duron tërmetet, epidemitë, tmerret e sëmundjeve dhe lloj lloj vuajtjesh shpirtërore, por prapë, tragjedia më e dhimbshme për të është e do të jetë tërë kohës tragjedia e dhomës së fjetjes”.
Po cili prej nesh nuk e shkon nëpër mend aktin e martesës dhe dyzimet që e brejnë si mola robën nëse ky akt i shenjtë që kurorëzon jetën rinore dhe ripërtrin shoqërinë, ka qenë një fat i mirë apo i keq në jetë? Por tani në këtë moshë të shtyrë, aha, nuk ke më kohë për të korigjuar qoftë edhe pjesëz të vogël të saj!
I nderuar Lev Nikollajeviç, shpesh herë kam pyetur veten “Mos vallë Anton Pavlloviçi nuk ka dashur që lexuesi të mësojë të vërtetën? Mos vallë ungjilli i tij çehovian përmblidhet në fjalët: “Po ta mësoni të vërtetën ajo do t’ju dëshpërojë dhe ndëshkojë?”

***

Oficeri i artilerisë në lirim, Mihajllo Pahor Denisovi nuk mori kurrë përgjigje nga Lev Nikollajeviç Tolstoi për letrën e shkruar dhe problemin e marrëdhënieve të prishura me bashkëshorten, Ollgën. Ndoshta letra e Denisovit luajti rolin e asaj pikës së ujit që pasi mbush gotën, zë e derdhet. Si të donte t’i përgjigjej me një veprim konkret, që la pa frymë jo vetëm Densiovin por mbarë botën, më 7 nëntor të vitit 1910, në moshën 83 vjeç, Tolstoi largohet përgjithmonë nga Jasna Poliana i shoqëruar vetëm nga mjeku i tij, D.P. Makovitski.
Rrëketë e shirave të asaj vjeshte që ranë nga qielli i zymtë dhe i trishtuar dukej sikur qanë vdekjen e shkrimtarit të famshëm rus. Në letrën që la mbi tryezë për të shoqen, Sofia Andrejevnën, shkruhej:
“Jam nisur… Nisja ime do të të lëndojë. Me keqardhje, por përpiqu të besosh e të më kuptosh, nuk mund të veproja ndryshe…”
Trupi i pajetë i Lev Nikollajeviç Tolstoit në stacionn Astapovo, sot Tolstoi, ku dha frymën e fundit, u kthye në Jasna Poljana për t’u prehur në amshim.
Kur mësoi lajmin mbi braktisjen e shtëpisë nga Lev Nikollajeviç Tolstoi, për një çast Mihajllo Pahor Denisovi e kundroi jetën e tij si në një pasqyrë që dikush ia vuri befas përpara hundës. Atëherë iu duk vetja si një tapë e vockël që pluskon pa kuptim mbi ujrat e një lumi të turbullt që valët e hedhin andej-këtej drejt ujrave të detit pa anë e kufij.

Leon Tolstoi

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here