- A është e pranueshme që shkrimtarët dhe artistët shqiptarë të mos kenë sot një organizatë të fuqishme, të pavarur dhe përfaqësuese që mbron interesat e tyre profesionale, ekonomike dhe kulturore, ndërkohë që çdo kategori tjetër profesionale ka strukturat e veta?
Ashtu si çdo art tjetër që ka institucionin dhe organizatën e vet përfaqësuese, edhe shkrimtarët duhet patjetër të kenë një institucion apo shoqatë që mbron të drejtat e autorëve dhe interesat e tyre profesionale.
Një organizatë e tillë nuk mund të mbështetet vetëm te puna vullnetare, por ka nevojë edhe për mbështetje institucionale nga shteti, përmes një ligji të posaçëm që garanton funksionimin dhe mbrojtjen e saj.
- A përbën riorganizimi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve një domosdoshmëri historike për të garantuar lirinë krijuese, të drejtën e autorit dhe dinjitetin profesional të krijuesve shqiptarë?
Patjetër që po. Sot plagjiatura ndeshet shpesh në shumë fusha të artit, veçanërisht në letërsi.
Kjo jo vetëm që ul dinjitetin e krijuesit, por zbeh edhe dëshirën për të krijuar letërsi serioze dhe autentike.
Letërsia kërkon përgjegjësi, seriozitet dhe origjinalitet, ndaj një strukturë funksionale e Lidhjes së Shkrimtarëve do të ishte një domosdoshmëri për mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të vërteta artistike.
- Si mund të ndërtohet një organizatë e re që të jetë realisht demokratike, pluraliste dhe transparente, duke shmangur çdo ndikim ideologjik, politik, krahinor apo klanor?
Mendoj se kjo organizatë duhet të ndërtohet mbi pjesëmarrjen sa më të gjerë të shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë, kudo që ndodhen.
Më pas, përmes votimeve transparente dhe demokratike, të zgjidhet drejtuesja e saj, pa ndikime klanore, politike apo ideologjike.
Vetëm kështu mund të krijohet një institucion i besueshëm dhe përfaqësues për gjithë krijuesit shqiptarë.
- Cili duhet të jetë roli i një Lidhjeje moderne të krijuesve: thjesht një shoqatë simbolike, apo një institucion aktiv që negocion standarde profesionale, kontrata dinjitoze, politika botimi dhe mbrojtjen e të drejtave të autorit?
Krijuesit janë zhgënjyer mjaftueshëm nga shoqata dhe organizata që kanë përfituar në kurriz të tyre.
Ka ardhur koha që ata të përfaqësohen nga një organizatë serioze dhe dinjitoze, e cila jo vetëm i bashkon, por edhe i mbron ligjërisht dhe profesionalisht.
Një Lidhje moderne duhet të jetë aktive në mbrojtjen e të drejtave të autorit, në negociimin e standardeve profesionale dhe në përmirësimin e kushteve të krijuesve shqiptarë.
- Në një kohë kur ekonomia kreative është sektor strategjik në shumë vende, pse në Shqipëri mungon një strukturë e unifikuar që të artikulojë kërkesat e shkrimtarëve dhe artistëve përballë shtetit dhe tregut kulturor?
Fatkeqësisht, shteti shqiptar shpesh nuk i ka parë shkrimtarët dhe artistët si një zë me ndikim të rëndësishëm shoqëror dhe kulturor.
Ndaj është e nevojshme të krijohet një ligj i posaçëm për mbrojtjen e shkrimtarëve, artistëve dhe të drejtave të autorit.
Gjithashtu, shteti duhet të ndihmojë financiarisht dhe institucionalisht çdo aktivitet që lidhet me krijimtarinë dhe promovimin e kulturës shqiptare.
- A nuk është koha që krijuesit shqiptarë të kenë një zë të përbashkët institucional për të ndikuar në politikat kulturore kombëtare dhe për të promovuar në mënyrë më të organizuar letërsinë dhe artet shqiptare brenda dhe jashtë vendit?
Do të thosha se kjo kohë madje është vonuar.
Krijuesit shqiptarë duhet sa më parë të kenë një institucion përfaqësues për politikat kulturore kombëtare, i cili të përfshijë jo vetëm autorët brenda Shqipërisë, por edhe krijuesit shqiptarë në diasporë.
Vetëm përmes një organizimi të përbashkët mund të promovohet denjësisht letërsia dhe arti shqiptar në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.
- A jeni dakord që të thirret një Kuvend i ri i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, mbi baza statutore, transparente dhe gjithëpërfshirëse, gjatë këtij muaji, me qëllim riorganizimin dhe riaktivizimin e saj si shoqatë funksionale në shërbim të krijuesve shqiptarë?
Jam plotësisht dakord që të thirret një Kuvend i ri i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Është shumë e rëndësishme që gjithçka të zhvillohet mbi baza transparente, demokratike dhe gjithëpërfshirëse, në mënyrë që kjo organizatë të rikthehet si një institucion funksional dhe në shërbim të vërtetë të krijuesve shqiptarë.


















