Gjatë diskutimeve që u zhvilluan në komisionet e veçanta dhe në seancat plenare të Kongresit të Berlinit, emri i Shqipërisë u zu ngoje vetëm kur ishte fjala që nga kjo provincë e Perandorisë Osmane duhej të shkëputej ndonjë ngastër që do t’i bashkangjitej kësaj apo asaj monarkie ballkanike. Diplomatët që i mbrojtën të drejtat kombëtare të shqiptarëve, qenë fare të paktë.
Edhe atëherë kur ndonjë pjesëmarrës tha ndonjë fjalë të mirë për shqiptarët, këtë gjë e bëri i detyruar nga rrethanat politike të vendit të tij, siç qe rasti i përfaqësuesit francez. Për të hedhur poshtë sulmet e partisë klerikale, e cila e akuzonte qeverinë e Francës , duke thënë se ajo nuk i mbronte sa duhej të krishterët e Perandorië Osmane, ky përfaqësues propozoi që Mirditës katolike t’i njiheshin privilegjet që gëzonte ab antiquo (qysh në kohët e vjetra). Megjithëse u kundërshtua me argumente të shumta nga i plotfuqishmi osman Mehmet Ali Pasha, ky propozim u miratua nga Fuqitë e Mëdha dhe u përfshi në protokollin nr. 13.
I vetmi pjesëmarrës që i mbrojti hapur dhe me zemër të qëruar të drejtat kombëtare të shqiptarëve, qe diplomati Shvegel (Schwegel). Duke iu referuar sidomos librit të Ami Boué-së „La Turquie d’Europe », të botuar në Paris më 1840, ai theksoi se, nga pikëpamja etnografike, Shqipëria ishte krejtësisht homogjene. Ndonëse banorët e saj kishin fe të ndryshme, populli i këtij vendi kishte identitet të veçantë dhe ishte i zoti të vetëqeverisej.
Anëtarët e misionit osman, të cilët në fillim u acaruan shumë nga qëndrimi i shefit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, u qetësuan shpejt kur vunë re se fjalët e Shvegelit ranë në vesh të shurdhër dhe nuk i mbështeti askush. Megjithatë në pushimin që pasoi atë seancë, Mehmet Ali Pasha iu afrua kolegut austriak dhe e ftoi për të pirë një kafe. Ndonëse e mori me mend shkakun që e kishte shtyrë përfaqësuesin osman të kërkonte një gjë të tillë, Shvegeli e pranoi pa ngurrim ftesën e tij.
Sapo zunë vend në tryezë, Mehmet Ali Pasha nxitoi të shprehte shqetësimin që e gërryente nga brenda.
-I dëgjova me vëmendje fjalët që thatë për shqiptarët. Për shkak të profesionit tim, unë kam pasur rast t’i njoh nga afër banorët e Shqipërisë. Megjithëse unë i respektoj opinionet e të tjerëve, jam i bindur se qasja juaj ndaj shqiptarëve është e gabuar.
-Në ç’argumente mbështet bindja juaj?- e vështroi ngultas Shvegeli njeriun me uniformë mareshali që kishte marrë përsipër të luante rolin e diplomatit.
-Bindja ime nuk mbështetet në thëniet e ndonjë udhëpërshkruesi, siç është rasti i Ami Boué-së që përmendët ju, por në përfundimet e dijetarit të shquar gjerman Hainrih Kipert (Heinrich Kiepert), i cili ka deklaruar se shkrirja e plotë e kombësisë shqiptare është e mundshme dhe e dobishme për Europën.
Para si t’i përgjigjej bashkëfolësit të tij, Shvegeli zuri të ngjëronte kafenë që kishte sjellë kamerieri. Ai e dinte se gjeografi Kipert ishte hartografi më i zoti i kohës dhe ishte anëtar i tri akademive të shkencave në Europë. Për të nderuar veprimtarinë shkencore të Kipertit, me emrin e tij ishte pagëzuar një nga ishujt e arkipelagut të Svalbardit.
Nga përvoja e tij, diplomati austriak e dinte se gjeografia ishte bërë një faktor i rëndësishëm në politikën europiane. Pesha e këtij faktori ishte shtuar sidomos në kohët e fundit kur fati i popujve ballkanikë varej edhe nga hartat që përcaktonin kufijtë ndëretnikë. Për këtë arsye, gjatë kësaj kohe, kishte filluar të përdorej një togfjalësh i ri: „lufta e hartave“.
Harta e Kipertit, e titulluar „Skicë etnografike e Europës Lindore“, e cila ishte botuar më 1876, gëzonte një autoritet të padiskutueshëm. Pikërisht kjo hartë, të cilën e vlerësonte vetë Bismarku, ishte vënë në tryezën e sallës së mbledhjeve plenare për të pasur si pikë referimi gjatë diskutimeve që do të bëheshin rreth kufijve të rinj të shteteve të Ballkanit.
Për të vënë në jetë programin e saj ambicioz të Megaloidhesë, qeveria greke i mbështeste shpresat e saj edhe te ajo armë e re, te “lufta e hartave“. Në fillim të atij viti, ajo kishte dërguar në Berlin historianin Konstantin Paparrigopulos që të bisedonte me gjeografin gjerman për të sajuar një hartë të re ku, në vend të kriterit etnografik, të merrej parasysh kriteri i kufijve natyrorë. Historiani grek kishte arritur t’ia mbushte mendjen Kipertit për të krijuar hartën e re, të cilën e kishte titulluar „Tablo etnokratike e Juglindjes së Europës“. Sipas kësaj harte, në shtetin e zgjeruar grek përfshiheshin Peloponezi, Thesalia, Epiri, Maqedonia, Trakia dhe Rumelia Lindore…
-Dijetarët e vërtetë e quajnë fatkeqësi zhdukjen e llojeve të bimëve apo të kafshëve, sepse një gjë e tillë do ta varfëronte natyrën, do ta gjymtonte jetën në tokë, – e ndërpreu Shvegeli heshtjen dhe përsiatjen e tij.- Duke pasur parasysh këtë që sapo thashë, më duket e papranueshme ideja se shkrirja e plotë e kombit shqiptar apo e cilitdo komb tjetër do të ishte e dobishme për Europën.
Kur dëgjoi përgjigjen e diplomatit austriak, mjekra e kuqërreme e mareshalit lëvizi me nervozizëm si flaka e një pishtari që dikush e mban në dorë, në një natë me stuhi.
-Zotëri Shvegel, qasja juaj e gabuar ndaj shqiptarëve e ka burimin te një keqkuptim ose më mirë te një premisë e pasaktë, nga e cila niseni ju.
-Cila qenka kjo premisë e pasaktë?
-Duke folur me objektivitetin më të madh, po ju them se premisa e pasaktë, nga e cila niseni ju, është kjo : ju besoni se ka një komb shqiptar !
-A nuk i përkasin kombit shqiptar banorët e Shqipërisë, ashtu siç i përkasin kombit gjerman banorët e Gjermanisë ?
Pas kësaj pyetjeje, mjekra majuce që kishte përpara Shvegeli, u tund me vrull si flaka kur e rreh rriba e murrlanit.
-Më vjen keq që jam i detyruar t’ju them se krahasimi juaj çalon nga të ty këmbët,- u përgjigj mareshali, duke i shoqëruar fjalët e tij me nënqeshjen e njeriut që beson se e ka zënë ngushtë kundërshtarin. – Emërtimin « komb shqiptar » nuk e pranojnë as vetë shumica e banorëve të Shqipërisë, të cilët janë myslimanë dhe e quajnë veten turq !
-Argumenti që përdorni ju, zotëri mareshal, nuk ka vlerë shkencore. Ju duhet ta dini se termat „turk“ ose „grek“ nuk përdoren vetëm në kuptimin etnik, por edhe në kuptimin fetar për të shenjuar një besimtar mysliman ose ortodoks. Kam lexuar disa libra ku banorët ortodoksë ose skizmatikë të Perandorisë Osmane quheshin „grekë“, ndonëse ata nuk i përkisnin kombit grek.
-Është e vërtetë se termat „turk“ apo „grek“ përdoren edhe në kuptimin fetar, por një inerpretim i tilla nuk vlen për banorët e Shqipërisë.
-Përse nuk vleka për ta një interpretim i tillë?
-Përgjigja është fare e thjeshtë: e ashtuqujtura kombësi shqiptare është një sajesë e ca intelektualëve romantikë. Kështu mendojnë pothuaj të gjitha qarqet politike të Europës. Më ka mbetur në mendje një shkrim i botuar në gazetën zyrtare « République Française », në të cilin thuhej se kombësia shqiptare ishte vetëm një ëndërr e disa kokëkrisurve!
-Një njeri që përpiqet të varrosë një komb, cilido qoftë ky komb,më shumë sesa gazetar, e meriton të quhet varrmihës.
-Zotëri Shvegel, ju i mbroni me zjarr shqiptarët, sepse nuk i njihni mirë,- nënqeshi përsëri Mehmet Ali Pasha.-Duke mos i njohur mirë, ju i idealizoni.
-Unë them se shqiptarët duhet të njihen si komb dhe të kenë vendin e tyre në diell ashtu si fqinjët e tyre. Çdo komb, i madh apo i vogël qoftë ai, ka nevoje të ketë truallin e vet kombëtar ku mund të zhvillojë gjuhën dhe kulturën e vet të veçantë. Kam dëgjuar se ju merreni me poezi, prandaj po i lejoj vetes të përdor një krahasim poetik. Për mua, një komb i ngjan një pylli që ka nevojë për një copë tokë ku drurët e tij mund të shtrijnë rrënjët dhe të ushqehen.
-Megjithëse kam shkruar vargje, unë nuk e quaj veten poet. Sidoqoftë krahasimi juaj midis kombit e pyllit më duket i qëlluar.
-Pak më parë, ju thatë se unë i idealizoj shqiptarët. E vërteta është se , sipas gjykimit tim, ata nuk janë aspak modeli i përsosurisë. Ata nuk mund të jenë të tillë, sepse, në fund të fundit, nuk janë heronj të poemave klasike apo romantike. Si të gjithë popujt e tjerë, shqiptarët kanë virtytet dhe veset e tyre. Pa dashur të bëj kurrfarë aludimi për ju, do të thosha se një nga të metat e tyre kryesore është lehtësia e habitshme, me të cilën e kanë ndërruar fenë. Megjithëse apostazia u ka siguruar ndonjë përfitim praktik, ndonjë privilegj të përkohshëm, kjo praktikë ka bërë që ata ta identifikojnë veten me pushtuesin, të zbehet deri diku identiteti i tyre kombëtar.
-Më vjen mirë që më në fund edhe ju e pohuat se shumica e shqiptarëve e kanë humbur identitetin kombëtar ose, po të përdor një term modern, janë shkombëtarizuar.
-Duke pohuar se fendërrimi ka çuar në zbehjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve, unë nuk pranova se ata kanë humbur gjuhën, kulturën dhe kombësinë e tyre. Siç duhet ta dini edhe ju, për shkak të rrethanave historike, apostazinë e kanë praktikuar edhe spanjollët, boshnjakët a ndonjë popull tjetër. Madje këtë gjë e kanë bërë individë nga të gjitha kombësitë e Ballkanit, të cilët synonin të zinin poste të larta në hierarkinë ushtarake dhe shtetërore të Perandorisë Osmane.
-Apostazinë nuk e kanë praktikuar vetëm ballkanasit, por edhe individë nga Europa Perëndimore, – shtoi mareshali.- Po të përmendja emrat e ushtarakëve europianë që kanë ndërruar fenë pë hir të karrierës, do të dilte një listë mjaft e gjatë.
– Dua të theksoj diçka tjetër që lidhet me temën e fendërrimit, për të cilën po flasim. Gjatë hulumtimeve të mia si diplomat, më ka befasuar një dukuri ku shprehet një nga anët negative të shqiptarëve.
-Cila është kjo dukuri?
-Pashallarët dhe vezirët me origjinë shqiptare nuk janë interesuar fare për kombin, me të cilin kishin lidhje gjaku. Krejt ndryshe kanë vepruar pushtetarët osmanë që rridhnin nga kombësitë e tjera, siç është rasti i Vezirit të Madh me origjinë serbe, Mehmed Sokolloviqi, i cili, bashkëkombasve të tij, u ka siguruar favore ekonomike dhe fetare. Ruajtja e fesë së të parëve nga serbët apo nga kombet e tjera ballkanike ka ndikuar që ata të zgjoheshin më shpejt nga letargjia dhe të përpiqeshin për krijimin e shteteve të tyre kombëtare.
-Më vjen mirë që e përsëritët se shqiptarët nuk kanë identitet kombëtar dhe për këtë arsye nuk e kanë vrarë mendjen për të krijuar një shtet kombëtar.
-Ju po i komentoni fjalët e mi sipas qejfit uaj, zotëri mareshal. Unë thashë vetëm se shqiptarët janë më të vonuar sesa fqinjët e tyre. Siç mund ta keni marrë vesh edhe ju, kam dëgjuar se kohët e fundit, ata kanë krijuar një Ligë Kombëtare për të mbrojtur trojet dhe të drejtat e tyre. Pra, letargjia e tyre ka marrë fund. Po të kemi parasysh fjalën e urtë që thotë : « Më mirë vonë se kurrë », shpresoj se vonesa e tyre historike nuk do t’i ndjekë pas si mallkim…
Duke vënë re se diplomatët e tjerë po ktheheshin në sallë për të marrë pjesë në seancën e ardhshme, ata u detyruan ta ndërprisnin bisedën, për ta vazhduar një herë tjetër.
(fragment nga romani për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit)