U SHUA SHKRIMTARJA E SHQUAR VILHELME VRANARI HAXHIRAJ (1944–2026)

 

 

Varrimi i të ndjerës do të bëhet ditën e enjte, më 30 prill 2026, ora 11:00, në varrezat e qytetit bregdetar të Vlorës, ndërsa ceremonia mortore do të kryhet në shtëpinë e familjes Haxhiraj, në adresën: Lagjia “Pavarësia”, Rruga “Hasan Kushta”, Kompleksi “Green Towers”, tek “Kali i Trojës”. Ngushëllimet do të priten në shtëpinë e familjes Haxhiraj.

 

 

 

Siç njofton familja Haxhiraj, është ndarë sot nga jeta shkrimtarja e shquar Vilhelme Vranari Haxhiraj. Shkrimtarja, veprimtarja e shquar e proceseve demokratike në vend dhe intelektualja e mirënjohur, u shua sot më 29 prill, në orën 17:00, në shtëpinë e saj në Vlorë, e rrethuar nga kujdesi dhe dashuria e familjarëve të saj, si dhe nga një ekip mjekësh të cilët e ndoqën përkeqësimin e shëndetit të saj gjatë muajve të fundit.

Siç njoftoi bashkëshorti i shkrimtares, Fitim Haxhiraj, varrimi i të ndjerës do të bëhet ditën e enjte, më 30 prill 2026, ora 11:00, në varrezat e qytetit bregdetar të Vlorës, ndërsa ceremonia mortore do të kryhet në shtëpinë e familjes Haxhiraj, në adresën: Lagjia “Pavarësia”, Rruga “Hasan Kushta”, Kompleksi “Green Towers”, tek “Kali i Trojës”. Në shtëpinë e familjes Haxhiraj do të priten edhe ngushëllimet.

Me ndarjen e saj nga jeta, letërsia shqipe humbet një zë të veçantë, një krijuese me ndjeshmëri të thellë estetike dhe një intelektuale që i dha fjalës peshë, dinjitet dhe ndërgjegje qytetare..

Krijimtaria e saj e gjerë, që përfshin rreth 70 vepra në gjini të ndryshme letrare, përbën një korpus të rëndësishëm artistik e estetik, duke dëshmuar një zë autorial të konsoliduar, me ndjeshmëri të hollë dhe vizion të qartë mbi raportin midis individit, shoqërisë dhe kohës. Nëpërmjet një ligjërimi të pasur dhe një etike të lartë shkrimi, ajo arriti të ndërtojë një univers letrar me vlera të qëndrueshme, që do të mbetet pjesë integrale e kujtesës kulturore kombëtare.

Shkrimtarja Vilhelme Vranari Haxhiraj ishte mike e gazetës letrare dhe kulturore Nacional prej themelimit të saj rreth 20 vjet më parë  dhe kontribuese e rëndësishme për ecurinë e saj.

Gazeta letrare dhe kulturore Nacional, së bashku me Shtëpinë Botuese Nacional, i shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes Haxhiraj për këtë humbje të rëndë, që kapërcen kufijtë familjarë dhe prek mbarë kulturën kombëtare.

Ngushëllime komunitetit të shkrimtarëve shqiptarë dhe të gjithë lexuesve që e çmuan dhe e deshën krijimtarinë e saj, kudo në hapësirat shqiptare.

Dr. Mujë Buçpapaj
Gazeta letrare dhe kulturore Nacional

Tiranë, 29 prill 2026