Xhevair Lleshi: FRANSUA DË LA ROSHFUKO, “ATI I PARADOKSIT”

François de La Rochefoucauld (15 shtator 1613 – 17 mars 1680), në 410 vjetorin e lindjes, nga Xhevair Lleshi.
Fransua dë la Roshfuko lindi në Paris në vitin 1613. Sentencat e tij të njohura janë vepra e njeriut ambicioz, krenar për origjinën e vet, që ndjehet i zhgënjyer nga jeta dhe njerëzit. Mendimet që la kanë mbetur midis dy pëllëmbëve të tij, që i lexohen bukur edhe në fytyrën e zgjatur si nga peneli i El Grekos. Ky dukë, që ushtrohet në satirë, në rininë e tij ishte një ushtarak i guximshëm dhe oborrtar i shkathët. Ishte gati t’i dërgonte në qiell ato që i mbetën prej asaj kohe dhe këtë e thoshin sytë e tij jeshilë dhe buza e tij e flakëruar, drithëruar nga mendimet që përtypte me vete, si për ta bërë botën ndryshe. Ai, bashkë me Anën e Austrisë, komplotoi kundër Rishëljesë, prandaj dhe u përzu nga kardinali i fuqishëm, nga oborri dhe u detyrua të jetojë më pas aventurat që të kujtojnë Tre Musketerët e Dymasit, u fut në Frondë me dëshirën e vetme për aventura dhe intriga. Edhe sot i kërkojnë ato që kanë mbetur prej atij njeriu të madh, mendimtarit që kullonte mrekullitë e jetës mendore, po edhe ndonjë zhele arti po të mundnin, ndonëse atë s’mund ta gjenin dot. Jo, kërkuesit e dinë, sesi gjith¬monë fati tallet me gjenitë e kësaj bote, dikë e bën të çmendur, një tjetër të vdesë fare të ri. Ndërsa Roshfukosë i kishte marrë shëndetin që të mos shkruante më. Dhe fletët do të zverdheshin, si fletë të vdekura vjeshte rënë nga pema e jetës. Gjithnjë duke menduar se e donin të rrinte lart në qiell, ku ngjitet dhe s’bekohet dashuria prej Zotit që nuk shfaqej…
Roshfukonë, një plumb mushqete e mori papritur e kujtuar në ballë, shumë pranë syrit, gati e la të verbër. Për fat kjo nuk ndodhi. Që prej asaj dite iu vu veprimtarisë politike, të cilën Roshfukoi nuk e mbështeste mbi asnjë parim të vërtetë, prandaj edhe roli i tij përfundon me rënien e Frondës. Në moshën dyzet vjeçare, i lodhur nga kapriçiot e seksit të bukur, duke mos i bërë më përshtypje asgjë, i kërrusur nga paraliza e i plakur para kohe, tërhiqet nga bota. Pastaj atë vetëm e prisnin, si një njeri që i kishte konsumuar të gjitha takimet dhe pritjet. Dhe për çudi rrinte me mjellmën e tij, të vetmes që i dilte në takim dhe të vetmen që priste. Ç’jetë mund të ishte kjo?! Po kush e kishte mendjen tek ai? Ata që duhet ta bënin, me një fiksim absurd e kthenin gjithçka në histori shkëlqyese, ku çdo gjë mbetet e thadrohet si në bojëra vaji, duke çarë tej e tej edhe zotin e vdekur, mbështjellë prej pjalmit të luleve të mendimit. Ai, sypulitur edhe në kohë prehjeje, ikte në takime të fshehta, ndërsa njerëzit e ditur sot kërkojnë më kot një ninullë për të porsalindurin e mendimit, që e kapin turbull si një sekret të kyçur dhe bosh, por me dhuntinë e një alkimisti magjie në shahu të shpikjeve mendore dhe të dështimeve të mëdha, bashkë me retë e perëndimit të diellit dhe trupin e një sirene a të një engjëlli që papritur bie e s’ngrihet më midis turmës…
Kështu jetoi edhe njëzetë e shtatë vjet, deri në vitin 1680.
Për të kaluar kohën filloi të shkruajë kujtimet. Por gjatë punës, zbuloi se kishte aftësi për “sentenca”. Kur më 1665, i mblodhi në një vëllim pati një sukses të menjëhershëm e të bujshëm. Në gati 500 aforizmat e shkruara, duket se Roshfuko është nën ndikimin e Montenjit e të Senekës. Megjithatë një studim më i hollësishëm, tregoi se ato janë krejt origjinale, nga mprehtësia e mendimit, po edhe nga ana artistike. Aforizmat e Roshfukosë kanë meritën e pamohueshme se nuk kanë asnjë fjalë të kotë, ndonëse vijnë nëpër errësirën e kohërave që alternohen. Sa e bu¬kur ishte kjo, brilante!, thoshin dendur… Fjalë të mahnitshme… Një talent i madh edhe si aktor, por ai nuk u përzje. Sepse ishte i zgjuar. Qëndroi në kështjellën e tij ku nuk e pësoi nga intrigat. Vetëm shkroi dhe dinte të zgjidhte perlat. Kishte shije të rrallë, po veçanërisht kishte atë që shënjonte dhe ende shënjon artistin, ndjenjën e masës. Ai, jo, nuk merrej me mendime të fshehura, por ato që rrezatonin dhe çanin tejetej si rreze dielli, madje edhe argëtues gjer në çmenduri. Aty është dhe Roshfuko i mbështjellë në hapësirë të pamatë, ku duket se bën muzikë himnesh madhështorë, pa e humbur dhe as dobësuar qelizën e mendimit dhe të tjera gjëra për të gjetur të pahumburën që kurrsesi nuk gjendet edhe sikur t’i kërkojë ndihmë vdekjes që di gjithçka. Atëherë futet vetë brenda mendimit, si për të zbuluar sekretet e vërteta të jetës.
Roshfuko është gati të kryejë gjithçka, të çajë dhe të vërtetat për artin.
Me një shikim depërtues, shkrimtari shquan egoizmin që sundon gjithë veprimet tona. Në mënyrë të pamëshirshme ai u heq maskën gjithë sjelljeve të njerëzve. Ne e quajmë veten bujarë? Roshfukoi provon me një logjikë të ashpër se ne gënjejmë veten. “Shpesh herë, bujaria është vetëm kotësi, shpesh është fare thjesht përtaci ose një ndjenjë fajësie, por më shpesh janë të tria së bashku.” Përbërësit kryesorë të atij virtyti që quhet guxim, janë mendjemadhësia dhe ambicia. Duhet parë në këtë rast sesi fare pak lakmi, nxit për mrekulli ndjenjën e së drejtës dhe indinjatën e virtytshme! Ja, kështu del ai, si për të dështuar përsëri, gjersa të shkëlqejë në errësirë misteri që nuk e mban kurrë për vete, gjersa boja e vajit (sepse ai gjithnjë duket se i pikturon mendimet!) me një të kuq të murrëtyer, me një tundim prej krijuesi të çmendur. Ai e ka ditur mirë se më pas do të bien fort kambanat dhe se do të kumbojë një meshë solemne, duke ngritur lart në imagjinatën e paarritshme pyetjesh aq të dhimbshme, si për të deklamuar se prej vdekjes lind mendimi, arti!… Diçka që parandjehej, diçka që sigurisht qe tragjike, por ama ishte edhe një triumf i pa¬parë… Kush kapërceu tjetër kohën, realitetin, si Ai? Jo, nuk e besonte kush, s’ka sesi që ai të futej aq thellë në botën e mahnitshme të mendimit dhe të fjalës… Ai, as skuqej dhe as nxihej, ndonëse mall¬konte veten që ndodhej aty, por pasi shkruhet mendimi bëhej i mrekullueshëm, të mos harrojmë se ai e krijoi atë pa emfazë, me një deklarim racional, për një komunikim të drejtpërdrejt emocional, krejt të natyrshëm, pa pikën e përbuzjes, duke i dhënë rëndësi të madhe dëgjimit, sepse edhe në qelizë të mendimit ai donte qe në ‘skenë’ të gjëmonte, përplot natyrshmëri, po edhe shumë krijim vetjak, origjinalitet. Të mendosh një çast se fare pak lakmi nxit për mrekulli ndjenjën e së drejtës dhe indinjatën e virtytshme, pasi jeta mund të ndërpritet te kryqëzimi, ndarë në grimca si në meshën që e shikon përditë, atëherë me patjetër duhej të nxitoje, në mënyrë që të mbërrije atje për ku ishe nisur! Mund të thoshe, pra, se njeriu ka një grimë edhe nga Zoti!…
Ja disa nga sentencat e tij, nga më të mprehtat: “Pleqve u pëlqen shumë të japin këshilla të mira, për të ngushëlluar veten, meqë nuk janë në gjendje më të japin shembuj të këqij.” Po edhe ata i dëbuan, por jo për ekstravagancën e kundërshtimit të tij tërë fisnikëri. Ndaj dhe nuk u mallkua, por u përshëndet. I njëjti mendim shprehet me fjalë të tjera: “Kur na lënë veset, ne lajkatojmë njëri-tjetrin, për të besuar se i kemi lënë ne ato.” Fundja ajo kohë ishte, në atë kohë ai shkëlqeu, ndërsa errësira që mbuloi të tjerët, në vend që t’ia zbehte këtë shkëlqim, ia dendësonte më tepër. Ose: “Nëse ne u rezistojmë pasioneve, kjo ndodh për shkak të dobësisë së tyre më shumë se nga forca jonë”. A nuk është e vërtetë që pasionet i ndihmon arti madh? S’ka si të mos jetë kështu. Le të ngecë edhe mendimi, siç ka ngecur kurdoherë kur s’ka qenë koha e duhur, kohë në asgjënë e memories kombëtare të çdo vendi, ku kujtesa dhe harresa bëhen bashkë dhe të tjera gjëra fiksojnë, tragjikisht të tjera gjëra le të pohojmë me plot gojën. Ja një shembull i fjalës së urtë të shkurtër dhe të goditur: “Ne, të gjithë kemi aq forcë sa të durojmë të këqijat që na shkaktojnë të tjerët.” Kjo ndodh sepse ne mbërrijmë po kurrë pritjet nuk janë reale, se mbërritjet tona (natyrisht të vendosura në kohë dhe në botën ku janë!) bëhen të tilla që në nisje dhe prandaj dhe s’ka mbërritje se s’mbërrin kurrë atje ku je nisur. Duket të bëhesh fli. Ose “Ne e ngushëllojmë lehtë njëri – tjetrin për fatkeqësitë e miqve tanë, kur ato shërbejnë për të treguar dashurinë tonë ndaj tyre.” A e ndërpret veten mugu me një shpatë rrezeje vetëtitëse vetëm e vetëm se dita kërkon të jetë solemne? Apo e pret mbërritjen që pak e arrijnë se duhet të ketë farë në mbërritje që të lulëzojë në perëndim dhe në lindje? Ndoshta. Ky dyzim e mban gjallë mendimin e tij dhe e ruan përjetësisht të freskët. Më në fund, Roshfukoi sulmon keq paqëndrueshmërinë e femrave: “Ajo e ruan të dashurin e parë, për aq kohë sa nuk ka gjetur një tjetër të dytë.” Më tepër sesa kjo, për festat vijnë dhe ne harrojmë rininë po ai talenti yt, ai tinëzar i ëmbël nuk shuhet si qiriri po rri ndezur si dielli! Roshfukoi mendon se Franca i lexon sentencat me pasion dhe i komenton me zjarr. Ja, pra, Vepra i sjell autorit lavdinë që i kishte munguar. Kështu që ai fare i sigurt mund të falënderonte pesimizmin dhe përfytyrimin e zhgënjyer që kishte për ekzistencën. Megjithatë ai kurrë nuk shkoi në anët dhe skutat e padukshme, sepse historia edhe terrin më të dendur ka ditur, nëpërmjet mendjeve gjeniale, t’i japë ndriçimin e mjaftueshëm duke i zbuluar ato. Në anën tjetër të fshehtat e ngatërruara i gjallëron përplot kumbe e dritë shprehja e rinisë së mendimit!
Më vonë midis admiruesve të Roshfukoit, bëjnë pjesë dhe Shopenhaueri dhe Hipolit Ten. Dhe s’mund të ndodhte ndryshe. Ato mendime, befas, si rrufe në të kthjellët vërshuan në të katër anët, duke mbetur në kujtesën e gjallë të njerëzve, pavarësisht kujt gjuhe dhe kombi i përkisnin, aq më tepër që koha nuk i rrëmbeu, as i fshiu, por u dha më tepër shkëlqim. Koha! Sa herë del ajo në skenë, aq më tepër ka ngjarje, nga ato me demonstrime të mëdha tek ata që sjellin ndryshime të fuqishme, të falin madje edhe atdheun e zemrës. Se zemrat bëjnë jetë tjetër. Ne atëherë mendimet lëvizin natën, si të jenë fantazma, po edhe ditën për diell dhe kjo nuk çudit askënd, por vetëm na mahnit, mbase na bën edhe krenarë. Kjo s’mund të mohohet, sepse mendimi i Roshfukoit është dhe mbetet madhështor, edhe pse shpesh i ftohtë, apo i përmbajtur, madje gjer edhe në cinizëm prej mahnitjes që na dhuron natyrshmëria dhe lirshmëria e tyre që nuk na zhgënjen kurrë.
Ne nisemi dhe mbetemi te nisja? Jo. Ne ecim përpara. Edhe po të mos duam na shtyn koha. Mbase vjen një çast dhe na mbulon errësira, po pse jo edhe një mundësi për të nesërmen, prandaj jemi pajisur me mendimet e thëna bukur, përjetësisht, nga një mendje e ndritur, Roshfukoi i shekujve të mëparshme. Le të na bëjnë ato mendime edhe më idealistë, edhe më me thinja, edhe për të justifikuar sadopak dështimin në epokën e teknologjisë, së cilës do t’i shkonte për shtat mësimi spartan, shoqëruar si nëpër ëndrra me iluzionin që na bëhet po atë çast një zakon i mërzitshëm edhe pse rron shpikja dhe dashuria. E, pra! Ne do të mbetemi këtu një moment duke shijuar Roshfukonë e mençur dhe origjinal.

Tiranë, më 1 qershor 2023

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here